Vetmia, ja se si përhapet kjo sëmundje ngjitëse

Pavarësisht mënyrës se si të bën të ndihesh, në shumicën e rasteve vetmia nuk ka lidhje me të qenurit vetëm. Për disa njerëz, ndjenja e izolimit është shumë herë më intensive dhe e dhimbshme në momentet kur janë të rrethuar nga shumë njerëz, përshembull, duke festuar një ditëlindje apo gjatë pushimeve. Duke hyrë në një qendër tregtare gjigande të mbushur plot e përplot me njerëz, duke u munduar të kalosh kohën, duke u futur mes turmës në një festë gjigande apo duke ecur nëpër një rrugë tejmase të frekuentuar, mund të të ndodhë t’i shkaktosh vetes një ndjesi të padurueshme vetmie.

 

Studimet e reja nga ekspertët botërorë të neuroshkencës dhe shkencave sociale janë përpjekur t’i japin një shpjegim këtij fenomeni shqetësues që në një moment të caktuar të jetës mund t’i ndodhë çdokujt ta përjetojë. Edhe pse ne gjithmonë e mendojmë si një gjendje shpirtërore personale, pra një gjendje që i prek njerëzit individualisht qoftë për shkak të një personaliteti antisocial apo për shkak të rrethanave momentale, studiuesit tashmë thonë se, vetmia është një ndjenjë shumë më e komplikuar se kaq.

 

John Cacioppo, një psikolog i Universitetit të Chicagos, mendon se kjo gjendje shpirtërore dërrmuese duhet konsideruar më shumë si një fenomen social që ekziston në një shoqëri të caktuar dhe që mund të përhapet nga një person tek tjetri tamam si një sëmundje ngjitëse. Ndërkohë që, çdokush mund të ndihet i vetmuar në një moment apo në tjetrin gjatë jetës së tij, për disa persona mund të kthehet në një gjendje të përhershme, gjë që është shoqëruar në shumicën e rasteve me sëmundje më të rënda psikologjike si depresioni, çrregullimi i gjumit, tensioni i lartë i gjakut, madje edhe me çmenduri në moshat e mëdha.

 

Në studimin e tij të fundit, të publikuar në reviztat “Journal of Personality” dhe “Social Psychology”, Cacioppo bashkëpunoi me shkencëtarët më të mirë të rrjeteve sociale, Dr. Nicholas Christakis i Universitetit të “Harvardit” dhe James Fowler i Universitetit të “San Diegos”, të cilët formojnë skuadrën e njohur për studime të rëndësishme që tregojnë se gjendjet emocionale dhe sjelljet si lumturia, obeziteti apo lënia e duhanit, mund të përhapen si një valë në një rrejt shoqëror të caktuar.

 

Për të ekzaminuar nëse efekti “sëmundje ngjitëse” ekzistonte edhe për vetminë, studiuesit përdorën të njëjtën strukturë të dhënash të përdorura edhe në studimet e mëparshme të Christakis dhe Fowler. “The Framingham Heart Study” për shembull, është një studim, i cili ka filluar në vitin 1948 për të identifikuar faktorët që rrisin probabilitetin e sëmundjeve kardiovaskulare. Falë mënyrës së përpiktë që u ndërtua fillimisht studimi, me investigatorë që vëzhgonin pjesëtarët e ngushtë të familjes dhe miqtë e çdo pjesëmarrësi për të siguruar një studim më të detajuar. Në këtë mënyrë, Cacioppo, Christakis dhe Fowler tashmë kishin akses të një rrjeti të pasur social për çdo vullnetar në studimin e tyre, që nga pjesëtarët e familjes, deri tek miqtë dhe komshinjtë.

 

Cacioppo dhe skuadra e tij u fokusuan më tepër tek fëmijët e grupit të parë të studimit Framingham që përfshinte në më shumë se 5.200 burra dhe gra të moshës mesatare. Duke filluar nga viti 1983, më shumë se 4.500 vullnetarëve iu kërkua që të plotësonin tre pyetësorë, me një distancë kohore prej dy vjetësh nga njëri-tjetri, për të kuptuar se rreth sa ditë në javën e kaluar ishin ndjerë të vetmuar. Për shkak se miqtë dhe familja e shumicës së pjesëtarëve janë gjithashtu pjesë e studimit Framingham, shkencëtarët patën mundësi që gjatë kësaj kohe të zbulonin nëse raporti i vetmisë së një personi kishte ndonjë efekt mbi ndjenjën e izolimit të pjesëtarëve të tjerë në rrjetin e tij saj social.

 

Shkencëtarët gjithashtu patën mundësinë që të përjashtonin mundësinë se njerëzit e vetmuar thjesht shoqërohen me njerëz të tjerë të vetmuar ose që një event i përbashkët i jashtëm, si për shembull një zjarr tragjik në lagje, mund të shkaktojë ndjenjë masive vetmie tek të gjithë banorët.
Rezultatet qenë të mahnitshme: nëse një person raportonte ndjesinë e vetmisë gjatë një vlerësimi, lidhjet e tij të ngushta (qoftë familja apo shoqëria) ishin 52% më shumë të prirur për të raportuar gjithashtu ndjenjën e vetmisë pas dy vjetësh. Efekti ishte më i fuqishëm në personat që kishin marrëdhënie të ngushta, duke u dobësuar kur marrëdhëniet bëheshin më të largëta, por vazhdonin të qëndronin të dukshme deri në shkallën e tretë të njohjes. Me fjalë të tjera, një person i vetmuar mund të influencojë faktin se, miku i mikut të mikut të tij, ndihet i vetmuar. “Vetmia është perceptuar në të shkuarën si depresion, izolim, druajtje ose aftësi të dobëta sociale”, thotë Cacioppo. “Këto bindje duket se nuk janë të vërteta. Studimet që ne dhe të tjerët kemi bërë, na tregojnë se në të vëretetë është një gjendje themelore motivimi njerëzor, pak a shumë si uria, etja apo dhimbja”.

 

Me fjalë të tjera, vetmia nuk është një simptomë e mungesës së shoqërisë, por më tepër një forcë drejtuese që fshihet pas izolimit social. Në vend që të reflektojë thjesht gjendjen emocionale të një personi, thotë Cacioppo, vetmia është më tepër një indikator i shëndetit social i specieve tona në përgjithësi, një lloj lexuesi i temperaturës, nëse mund ta quajmë kështu, që tregon se sa mirë apo sa keq integrohemi ne si popullsi.
Të kuptosh këtë është thelbësore, thotë ai, pasi ne, nga natyra jemi specie sociale. Ne ushqehemi me bashkëveprimet që kemi me njëri-tjetrin dhe gjallërohemi kur ndihemi të frymëzuar, të sfiduar apo të mbështetur nga njëri-tjetri. Ndërkohë që, ndjesia e izolimit është tërësisht natyrore dhe normale, studimi i ri tregon se vetmia mund të fillojë të infektojë të gjithë shoqërinë si një kancer, nëse lejohet të trasmetohet pa u vënë re nga njëri person tek tjetri.
Por, si ndodh që një person “infektohet” nga vetmia? Duke u bazuar në të dhënat e reja, Cacioppo nxjerr teorinë se zakonisht trasmetohet nëpërmjet ndjenjave si mosbesimi dhe negativiteti. “Njerëzit që ndihen të vetmuar e shikojnë botën sociale si më kërcënues seç është në të vëretetë”, thotë ai. “Shpeshherë ata nuk janë të ndërgjegjshëm se po bëjnë këtë gjë, por njerëzit e vetmuar mendojnë negativisht për njerëzit e tjerë. Kështu që, nëse ti je miku im, dhe unë filloj të të trajtoj negativisht, me kalimin e kohës mund të mos jemi më miq. Por në të njëjtën kohë, bashkëveprimet tona të bëjnë që ti trajtosh të tjerët më pak pozitivisht, në këtë mënyrë ke mundësi të humbësh edhe ti miqtë e t’u dhe në të njëjtën mënyrë ata mund të humbasin miqtë e tyre. Kjo duket se është mënyra e trasmetimit të vetmisë”. Njerëzit mund ti transmetojnë dhe përhapin ndjenjat e tyre negative thjesht, duke rrudhur vetullat ose duke bërë shprehje të tjera fytyre të pakëndshme, duke lënë shije të keqe tek të tjerët madje edhe duke përvetësuar qëndrime trupore që i largojnë të tjerët.
Me kalimin e kohës, njerëzit e vetmuar e gjejnë veten të dëbuar në periferinë e rrethit të tyre shoqëror. Ndërkohë që, humbin miqtë dhe lidhjet, ata shtyhen deri në ekstreme ku në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin. E parë në këtë mënyrë, thonë ekspertët, faktori vetmi në një lagje, kompleks apartamentesh apo vend pune, mund të jetë një tregues se sa e bashkuar, rrjedhimisht mendërisht e shëndetshme, kjo shoqëri është. “Vetmia mund të jetë sinjal që tregon se lidhja e kësaj shoqërie është në rrezik”, thotë Cacioppo.
Nëse këto rezultate provohen si të sakta, trajtimi i vetmisë mund të përfshijë shumë më tepër se sa terapi individuale për pacientët. Është nevoja të mendohet më gjerë në çështje shoqërore. “Njerëzit nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë se po përfshihen në një valë vetmie, e cila trasmetohet nga dy ose tre njerëz, me të cilët janë ndërprerë lidhjet”, thotë Dr. Richard Suzman, drejtor i Divizionit të Kërkimeve Sociale në Institutin e Kombëtar mbi Plakjen, i cili financoi edhe studimin. “Këto rezultate janë me të vërtetë një provë e fortë dhe bindëse për dyshimet që kemi patur prej shumë vitesh, rreth faktorëve që shkaktojnë vetminë dhe sidomos në rrugën më adeguate që duhet ndjekur për ta kuruar atë. Është e rëndësishme të vëzhgohet me kujdes jo vetëm individi që vuan nga ky shqetësim tashmë i përhapur në mënyrë masive, por edhe rrethi i tij shoqëror nëse do të riparosh atë që duket se po shkatërrohet dita-ditës në mënyrë të paevitueshme, duke nxitur individin dhe shoqërinë drejt tatëpjetës në shkallët më të rrezikshme të vetmisë që në të shumtën e rasteve shoqërohet me izolimin total”.
Kjo strategji e re, e cila në një farë mënyre na jep një këndvështrim tërësisht të ri ndaj një ndjenje që të gjithë mund ta provojnë në një moment apo në tjetrin, sugjeron se problemet dhe krizat sociale në përgjithësi duhen parë nga lart, duke e perceptuar komunitetin si një i tërë dhe vetminë si një problem të përbashkët. Kjo do të thotë se, trajtimet për të gjithë rrethin shoqëror mund të japin rezultate shumë më të kënaqshme, duke i shtyrë njerëzit që ta mbajnë njëri-tjetrin të fokusuar drejt qendrës së rrethit të tyre shoqëror në vend që të izolohen drejt skajeve të tij. Në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme nuk është numri i lidhjeve dhe miqve që një person ka, por cilësia e tyre. Komunitetet që nxisin në mënyrë të vazhduar bashkëveprimin e rregullt ndërmjet pjesëtarëve të tyre, qoftë nëpërmjet mbledhjeve të vazhdueshme apo edhe projekteve në grup me përfitime të përbashkëta që kërkojnë kontribut dhe punën e të gjithë pjesëtarëve, janë më tepër të prirura të të ushqejnë lidhje më të forta dhe kuptimplote në krahasim me ato komunitete, që nuk e nxisin investimin social. “Për ta përfunduar, ajo çfarë ne shpresojmë të arrijmë me gjithë përpjekjet tona, të cilat sigurisht që nuk do të mjaftohen me kaq, është që jo vetëm të ndërhyjmë dhe të kurojmë njerëzit e vetmuar në nivel individual, por gjithashtu në nivel komuniteti që përhapet më pas gradualisht në nivel kombëtar, duke rritur kështu cilësinë e jetës dhe të zhvillimit”, thotë Cacioppo.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Një mendim mbi “Vetmia, ja se si përhapet kjo sëmundje ngjitëse

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s