“Varfëria” e miliarderëve

Sipas “Forbes”-it, në vitin 2008, njëqind njerëzit më të pasur të Rusisë vlenin të gjithë së bashku 520 miliardë dollarë, ndërsa sot nuk shkojnë më shumë se 140. Ja se si ka ndryshuar pozita e pasanikëve rusë…

Në kioskën e shitjes së revistave, numri i fundit i edicionit rus të revistës “Forbes” është e mbështjellë me një letër ngjyrë kafe. Pikërisht kjo revistë prestigjioze është zgjedhur për t’u prezantuar lexuesve jetën, vdekjen dhe mrekullitë e asaj që ngelet nga oligarkia më e “ndritur” në botë.

Në kopertinë, mes fytyrave të manjatëve më të famshëm rusë, “Forbes” shkruan se ka bërë llogaritjet për humbjet e secilit prej tyre. Rezultati është me të vërtetë tronditës. Sipas të dhënave, mendohet se oligarkët rusë kanë humbur një total prej 378 miliardë dollarësh. Nëse në vitin 2008, shuma e pasurisë së 100 njerëzve më të pasur të Rusisë shkonte në 520 miliardë dollarë, vetëm tre vjet më pas kjo shifër nuk shkon më shumë se 140 miliardë.

Vitin e shkuar, njeriu më i pasur i Rusisë kishte një shumë personale që kapte shifrën e 30 miliardë dollarëve, ndërsa rekordmeni i vitit 2011 nuk i kalon as dhjetë miliardët. Pasuritë janë “thërrmuar” brenda katër ose pesë muajve. Në vitin 2008, portofoli më i majmë i Moskës ishte ai i 41-vjeçarit Oleg Deripaskës, manjatit të aluminit, ndërsa sot më i pasuri është ai i Mikhail Prokhorov, një njeri më i rezervuar se kolegët e tij, pjesë e kronikave të vitit 2007 kur u arrestua në Courchevel në Zvicër, me akuzën e favorizimit të prostitucionit (mendohej se kishte organizuar festa private për miqtë e tij).

Shkëmbimi i vendeve u bë sepse Deripaska në këta muajt e fundit ka humbur 25.1 miliardë dollarë, ndërsa një humbje prej 13.1 miliardësh e bëri 43-vjeçarin Prokhorov të renditej i pari në listën e më të pasurve të Rusisë, duke u shndërruar kështu edhe në njeriun e vetëm që parashikoi krizën. Në të vërtetë, Prokhorov, që në Rusi njihet edhe si “beqari i artë”, është i vetmi mes oligarkëve rusë që nuk ka grua apo fëmijë, e që në fillimet e krizës ia kishte shitur 25 përqindëshin e tij të “Norilsk Nickel”, ortakut Oleg Deripaskës, të cilit iu desh të ripaguante miliarda për aksionet, të cilat që nga gushti kanë humbur shumë pikë.

Nuk i ka ecur më mirë fati edhe Aleksei Mordashovit, numri dy në listën e më të pasurve për vitin 2008 dhe sot, sipas “Forbes”, në vendin e shtatë: pronari i “Severstal” dhe “Lucchini”-t brenda këtyre muajve ka humbur plot 20.2 miliardë dollarë. Faji është i krizës së industrisë së automobilave, që kompania e tij i furnizon me fleta metalike.

Por edhe Roman Abramoviç, padroni i Çelsit dhe dashamirës i artit bashkëkohor, nuk ka dalë i palagur nga kriza: “Forbes” siguron se gjatë këtij viti ka humbur 15.8 milionë dollarë. Pikërisht për këtë, sipas gazetave “gossip”, çifti më i bukur i Moskës ka vendosur ta shtyjë për më vonë martesën. E vështirë të besohet, duke qenë se oligarkët rusë, pavarësisht krizës së rëndë ekonomike, duket se nuk kanë hequr dorë nga jahtet, apo të kenë futur në sirtar ëndrrat mbi projektet për vilat e reja.

Të munguarit e mëdhenj të vendeve të para janë Vladimir Potanin dhe Viktor Vekselberg, oligark në kohën e Jelcinit dhe prej vitesh i palëvizshëm në klasifikimet e bëra prej “Forbes”. Këta të dy kanë kaluar respektivisht nga vendi i shtatë në të 19-in dhe nga i 16 në të 24-in. “Jemi rikthyer në nivelet e 2004-s, kur pasuritë e 100 oligarkëve më të pasur të vendit shkonin në 140 miliardë”, shkruan drejtori i “Forbes”, Maksim Kashulinsky.

Në vitin 2008, për të hyrë mes 100 më të pasurve të Rusisë nuk ishte e mjaftueshme të ishe miliarder: “Bileta më ekonomike për të hyrë në ‘klubin e 100’, është 1 miliard e 100 milionë”. Këtë vit, më i varfri i 100 pasanikëve të Rusisë ka një pasuri prej 400 milionë dollarë, që ngjajnë si lëmosha krahasuar me vitin e shkuar.

Në vitin 2008, për të qenë mes dhjetë të parëve duhej të kishe një pasuri prej të paktën 13.7 miliardë dollarësh, ndërsa këtë vit Deripaska renditet në vend të fundit me 3.5 miliardë. Kriza nuk ndihet vetëm mes oligarkëve në Rusi, “Forbes” që prej vitesh është cilësuar si “Bibla e kapitalizmit”, në vitin 2008 ishte një revistë që kishte 360 faqe me publicitet, ndërsa këtë vit i duhet të kënaqet me 280 faqe.

Në renditjen e hartuar të këtij viti vihen re 8 oligarkë që i bashkohen listës për herë të parë dhe 14 të tjerë të rikthyer pas një pushimi. Ndryshimet në përbërjen e klasifikimit flasin qartë për diçka: nëse oligarkët tradicionalë, zotërinj të gazit, naftës, aluminit dhe çelikut kanë parë pasurinë e tyre në nivele aq të ulëta sa kurrë më parë, rezultatet më të mira i kanë arritur sipërmarrës në sektorë të ndryshëm si ai farmaceutik, ndërtimor dhe ushqimor.

Mes performancave më të mira, spikat ajo e Vladimir Grusdevit, 42 vjeç, deputeti i Dumës për “Edinaya Rossija” dhe një eksplorues i pasionuar, që në vitin 2009 kaloi 64 pozicione. Sekreti i suksesit? Vitin e kaluar shiti aksionet e zinxhirit të supermarketeve moskovite “Sedmoi Kontinenet”, duke investuar dy të tretat e asaj që fitoi në një fond në tregtinë me pakicë dhe pjesën tjetër në sektorin energjetik. Një tregti e tillë bëri që në tetor të vitit 2008 Grusdev të riblente 10 për qind të “Sedmoi Kontinent”.

E mirë duket edhe paraqitja e Aleksandr Nesis, që është ngjitur 62 pozicione falë shitjes së aksioneve në industrinë e metalit të rëndë para krizës dhe investimeve “mendjemprehta” që nga tetori e më vonë. I vetmi emër i famshëm mes biznesmenëve, i suksesshëm në kohë krizash, është ai i Boris Berezovskit, i cili që prej vitit 2000 jeton në Londër. Nga numri 83 i klasifikimit u ngjit në të 29-in, një përmirësim me rreth 54 pozicione që më shumë se sa investimeve u detyrohen parave të fituara nga çështjet e fituara në gjyqet e Londrës kundër ish-partnerëve të tij.

Nëse armiku tradicional, Vladimir Putin, është ngjitur ndjeshëm në klasifikim, pasanikët e konsideruar si afër klanit të Kryeministrit rus, duket se janë zhytur në varfëri: Yuri Kovalchuk, pronar i bankës “Rossija”, ish-titullar i vendit të 53, këtë vit ka mbetur jashtë listës.

I njëjti fat edhe për Gennady Timchenko, pronari misterioz i “Gunvor”, tregtari i tretë në botë për naftën, që pak javë më parë shkoi në “Financial Times” duke mohuar çdo lidhje me Presidentin rus. Timchenko ka humbur plot 55 pozicione, duke u renditur i 98-i.

E vetmja grua oligarke, Elena Baturina, që e ka vënë pasurinë falë aktivitetit në tregun e pasurive të patundshme dhe pozitës së burrit si kryetar Bashkie i Moskës, ka kaluar nga vendi i 32 në të 34-n, duke humbur një shifër prej 4 miliardë dollarësh.

Risia e klasifikimit të këtij viti është numri i madh i politikanëve të pranishëm: mes anëtarëve të Duma-s dhe Senatit Federal, ose deputetëve në parlamentet e zonave, numërohen plot 14. “Pyetjes se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, dikur fëmijët rusë i përgjigjeshin: oligarkë, ndërsa sot thonë zyrtarë shteti”, shkruan editorialisti Aleksei Simin në rubrikën e tij, duke theksuar se fëmijët janë të parët që vënë re tendencat e reja./Shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s