Tradhetia dhe shkaqet e saj

Cila është arsyeja e tradhëtisë????

Arsyet pse tradhtojmë janë po aq të ndryshme sa dhe arsye pse dashurojmë dhe pse duam ata që duam. Femrat dhe meshkujt mund të tradhtojnë për arsye të njëjta, por mund të tradhtojnë edhe për arsye shumë specifike, që i përkasin gjinisë së tyre. 

Si meshkujt edhe femrat mund të tradhtojnë sepse nuk provojnë më dashuri, ndjenjë, tërheqje mes tyre; për hakmarrje kundrejt partnerit (me partner do të nënkuptoj si femrat ashtu edhe meshkujt) që të ka poshtëruar apo që nuk të plotëson nevojat që ke; për të thyer monotoninë apo mërzinë e një marrëdhënieje rutinë; nga nevoja për t’u ndjerë joshës, tërheqës, i pëlqyer dhe i aftë seksualisht, nga mendimi se mund të gjesh ilaçin për të rregulluar mosfunksionimin e marrëdhënieve seksuale, nga humbja e kontrollit, nga dëshira për t’u shkëputur nga një marrëdhënie që nuk funksionon, etj.

Tradhëtia ndodh edhe për arsye të tjera si për të rifituar besimin përballë moshës, që po kalon dhe humbjes së mundësive, për pasojë të zhgënjimeve të vazhdueshme apo mungesa e paqes bashkëshortore apo edhe si pasojë e streseve në punë, kuriozitetit, dëshirës për “aventurë”, etj.

Ka tradhëti rastësore dhe thjesht mishtore (që zakonisht ndodhin nga humbja e kontrollit apo dëshira për të kaluar një gjendje jo të mirë psiko-emocionale), ka tradhti të zemrës, tradhëti të vazhdueshme (me nje person apo persona të ndryshëm) kronike apo akute, etj.

Meshkujt tradhtojnë kryesisht për të rritur vetëvlerësimin e tyre dhe për t’i konfirmuar vetes virilitetin e tyre (të qenët maço), për t’u ndjerë më të gjallë e të fuqishëm apo për të shfryrë një agresivitet të thellë, të brendshëm. Ndërsa femrat tradhtojnë kryesisht për të përmbushur nevojën për t’u dashur, për t’u ndjerë joshëse, të vlerësuara, për të marrë ngrohtësi, embëlsi dhe për t’u ndjerë të lirshme dhe të shpenguara.

Kush tradhton dhe kush toleron më shumë?

Kultura jonë maskiliste (por edhe të tjera) për vite me rradhë ka krijuar mite se meshkujt tradhtojnë sepse janë më impulsivë, janë biologjikisht më të predispozuar, apo tradhtojnë vetëm për seks. Kurse për femrat mendohet që tradhtojnë me ndërgjegje, të bindura për atë që po bëjnë dhe tradhtojnë me zemër.

Më tej kur çifti martohet, udhëzimet e mëtejshme që u jepen femrave janë: “Tani që u martove do e durosh burrin me gjithë të këqijat që ka”, “Për hir të fëmijëve falja gabimet që mund të bëjë se burrë është”. Ndërsa udhëzimet kryesore për meshkujt vërtiten rreth: “Edhe tani mblidh mendjen: s’ka më lart e poshtë”.

Këto mite, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, përcjellin mesazhin se tradhtia e meshkujve është më e tolerueshme dhe më pak e dënueshme, pasi gjoja ka një natyrë thellësisht biologjike dhe mashkulli ka “nevoja fizike” më të forta se femra. Kohët e fundit këtyre miteve i janë shtuar edhe mendësi të tjera si: një mashkull që nuk tradhton nuk është një mashkull i vërtetë; është normale që mashkulli edhe mund të tradhtojë se është mashkull, prandaj edhe mund t’i falet, etj.

Duket se morali dhe normat e vetë shoqërisë sonë janë bërë më tolerante dhe e marrin të mirëqenë tradhtinë mashkullore, e cila “ndëshkohet moralisht” më pak se ajo femërorja (mashkulli që tradhton shihet si zoti, i aftë, etj. kurse femra quhet e përdalë). Por e gjithë kjo është thjesht mendësi e një shoqërie maskiliste që e shfaq seksin si eskluzivitet të mashkullit, sipas së cilit mashkulli gëzon çdo lloj lirie ndërsa femra jo. Kjo bën që arsyeja kryesore pse është rritur numri i femrave që tradhtojnë të jetë edhe hakmarrja. Por a është i shëndeshëm psikologjikisht ky qëndrim?

A mund të jetë tradhëtia një arsye e vërtetë për divorc?

Vitet e fundit tradhëtia konsiderohet si një ndër arsyet kryesore të divorcit. Megjithëse në shumë vende ajo zë edhe vendin e parë, në Shqipëri renditet e dyta pas divorcit për arsye të ndryshimeve në karakterin dhe temperamentin e partnerëve. Por gjithashtu shumë prej nesh janë dëshmitarë apo kanë dëgjuar edhe raste që megjithëse partneri ka tradhtuar çifti nuk është ndarë, por ka vazhduar të qëndrojë bashkë.

Si rrjedhim nuk mund të japim një përgjigje të saktë dhe përfundimtare nëse tradhëtia e çon apo jo çiftin në divorc. Sigurisht do të ishte më mirë që tradhtia të mos ndodhte, në të kundërt, nëse çifti do ta vazhdojë apo jo marrëdhënien varet nga një sërë faktorësh personalë, shoqërorë apo kulturorë.

Tradhtia përjetohet nga individi në një mënyrë shumë subjektive dhe unike që lidhet me personalitetin, të shkuarën dhe eksperiencat personale, vlerën që i jep marrëdhënies aktuale dhe sigurisht dashurinë që vazhdon të ndjejë apo jo për partnerin, por edhe edhe nga shoqëria që rrethohet, mjedisi ku është rritur e jeton, profesioni, si dhe kultura që ka.

Çfarë ndodh me partnerin e tradhtuar?

Një shprehje franceze thotë: Zot të lutem bëj që gruaja të mos më tradhtojë, por edhe po më tradhtoi bëj që të mos e marr vesh, por edhe po e mora vesh, bëj që të mos e besoj.

Tradhëtia shkatërron vetëbesimin, vetëvlerësimin, besimin të partneri apo të tjerë, ëndrrat, shpresat, dëshirat, etj. Tradhëtia shkakton krizë për identitetin personal dhe atë seksual. I tradhtuari vë në dyshim gjithçka, që ai/ajo ka menduar si të rëndësishme, joshëse apo tërheqëse te vetja. Tradhëtia si pasojë e humbjes së vetëvlerësimit dhe vetëbesimit shkakton shok, zemërim, indiferencë apo dhimbje ekstreme, ankth, tërheqje emocionale dhe shoqërore, rënie të dëshirës seksuale, ndryshim të regjimit ditor, etj. Pra zhgënjimet emocionale mund të ndikojnë mbi shëndet duke krijuar stres, depresion apo rënie të përgjithshme të imunitetit, që e bën individin më të predispozuar ndaj sëmundjeve.

Meshkujt e përjetojnë tradhtinë si fyerje ndaj virilitetit apo egos së tyre mashkullore, ndërsa femrat përveç fyerjes kryesisht e përjetojnë tradhtinë si humbje të sigurisë, dashurisë, vetëvlerësimit (qoftë fizik apo intelektual), apo edhe statusit social, personal.

Tradhëtia e largon vëmendjen nga partneri dhe marrëdhënia aktuale. Kur tradhëton nuk mund të përkushtohesh njësoj në marrëdhënie si më parë. Tradhtia krijon një trekëndësh, që ushtron presion të trajtohet si i barazvlefshëm. Tensioni bën që vëmendja, përkushtimi, kënaqësia që merret nga marrëdhënia nuk mund të jenë më njësoj. Humbja e vëmendjes sjell rënien e cilësisë së marrëdhënies, e cila sjell pakënaqësi. Kjo pakënaqësi interpretohet si mungesë dëshire për të qëndruar me partnerin dhe rrit justifikimin për ta tradhëtuar. I gjithë ky skenar kthehet në një rreth vicioz, i cili është vështirë të ndërpritet nëse çifti nuk bën përpjekjet e duhura në kohën e duhur.

A mund të falet një tradhti?

Vështirë të jepet një përgjigje. Siç e përmenda më lart përjetimi i tradhëtisë është shumë personal e si i tillë është i vetmi që përcakton të ardhmen e marrëdhënies. Secilit prej nesh i buron impulsivisht përgjigja nëse mund të falë apo jo tradhëtinë, por pak nga ne e dinë sesi do të reagojnë realisht nëse ajo ndodh vërtet. Shumë mund të mendojnë se nuk e falin kurrë, por mund të ndodhë e kundërta si dhe anasjelltas.

Megjithatë të gjithë duhet të dimë që tradhëtia kurrë nuk e forcon dashurinë dhe mbijetesën e marrëdhënies së një çifti. Tradhëtia mund të falet sepse dashuria për partnerin është shumë më fortë sesa dëshira për ta braktisur atë, sepse janë fëmijët në mes, sepse nuk do të humbasësh sigurinë afektive, sociale dhe ekonomike që të jep marrëdhënia, sepse edhe ty të kanë falur dikur por kurrë sepse harrohet apo sepse nuk të bën përshtypje dhe je indiferent ndaj saj.

Tradhëtia shkakton gjithmonë një ridimensionim të marrëdhënies. Tradhëtia dëmton integritetin personal, i cili sjell edhe dëmtimin e integritetit të marrëdhënies. Humbet besimi, qartësia, siguria, mbështetja, shtohen dyshimet etj., të cilat e ndryshojnë qëllimin primar të marrëdhënies dhe bëhen burim stresi, shqetësimi, ankthi, etj.. Tradhëtia tregon pamundësinë e individit për të krijuar një marrëdhënie të afërt me partnerin e zgjedhur – prandaj kërkohet zgjidhja diku tjetër. Tradhëtia plotëson me shpejtësi boshllëqet momentale të marrëdhënies, por nuk i zgjidh problemet mes çiftit. Ajo zakonisht i shton ato.

Pse tradhtojme??!!

Nëse partneri që tradhëtohet vendos të rikthehet në marrëdhënie, duhet që përveç shqyrtimit të përgjegjësisë së partnerit të shqyrtojë edhe përgjegjësitë e tij. Kur i tradhëtuari bën sikur e fal, por realisht nuk e fal partnerin, apo kur ndërmerr herë rolin e viktimës, herë të superiorit, atëherë çifti do e ketë të vështirë të vazhdojë marrëdhënien. Nëse, përkundrazi, çifti diskuton pasojat që tradhtia ka lënë mes tyre si dhe mënyrën se si mund t’i kalojnë ato, kjo mund t’i hapë rrugë një rifillimi të mbarë të marrëdhënies. Mbi të gjitha ata duhet të përpiqen të japin dhe rifitojnë besimin dhe sigurinë mes tyre dhe jo të keqtrajtojnë, apo të mbajnë mëri njëri-tjetrin. Në raste të tilla fjalët mund të shkaktojnë lëndime të mëtejshme që mund të çojnë në ndarje përfundimtare. Ata duhet të përpiqen t’i shfaqin afeksion të vazhdueshëm dhe reciprok njëri-tjetrit pasi vetëm kështu mund t’i kapërcejnë vështirësitë, që sjell përballimi i situatës së re pas tradhëtisë.

Megjithatë duhet të kemi parasysh se edhe pas vendimit për të rifilluar marrëdhënien, partneri i tradhëtuar mund ta ketë të vështirë të falë dhe çifti mund të bjerë në përsëritje të gabimeve të mëparshme, gjë që mund ta shkatërrojë përfundimisht marrëdhënien. Përballimi i situatës së re lidhet shumë jo vetëm me aftësitë e çiftit për të qënë pranë dhe ndihmuar njëri tjetrin, por edhe aftësitë individuale të secilit partner për të kuptuar, për të pranuar, për të falur dhe për të krijuar një marrëdhënie të re më të mirë se e mëparshmja.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s