Mushkonjat transmetuese te rrezikut

Mushkonjat transmetuese të rrezikut
Gjatë stinës së verës, sëmundjet dhe shqetësimet që shkaktohen nga artropodët dhe veçanërisht nga insektet, përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik. Insektet ndikojnë mbi popullatën, jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin në zonat turistike, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve të rëndësishme.
Pikërisht, insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror janë
mushkonjat. Ato (Culicidae: Diptera) janë insekte fluturuese me dy krahë dhe
përfshijnë rreth 2.000 lloje në të gjithë globin. Mushkonjat gjenden që nga
zonat e ulëta deri në majat e larta të maleve, kanë krahë të gjatë, të hollë e me
degëzime të larmishme.

Mushkonjat, kur pickojnë, injektojnë pak nga lëngu i gjendrave të pështymës në plagën që hapin. Disa prej tyre janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektues dhe të transmetojnë kështu, sëmundje të ndryshme si malarien, Chikungunjen, ethet e Verdha, ethet Dengue, filariozën, ethet e Nilit Perëndimor etj.

Në kushtet e ngrohjes së klimës, të cilën po përjeton e gjithë bota sot,  shqetësimi dhe rreziku që mund të vijë prej sëmundjeve të transmetuara nga
vektorët në përgjithësi, dhe nga mushkonjat në veçanti, është rritur.

Kontrolli dhe kujdesi

Për të hartuar një program kontrolli për mushkonjat, është e rëndësishme
të dihet se, mushkonjat e kalojnë një pjesë të ciklit të zhvillimit të tyre në ujë,
përpara se të dalin në fluturim.

Kontrolli i mushkonjave është relativisht i vështirë me anë të aplikimit të
lëndëve insekticide në zona të caktuara, si ajo e Butrintit, Karavastasë apo zonat e tjera ligatinore, që janë të mbrojtura nga Konventa e Ramsarit. Në këtë rast, rekomandohet ndërhyrja me anë të luftës biologjike, që mund të realizohet si me anë të grabitqarëve (peshq Gambuzia sp. të përdorur në vendin tonë më parë në luftën ndaj malaries) ashtu edhe nëpërmjet përdorimit të Bacillus turingensis israeliensis (Bti).

Por, lufta biologjike ka kosto të lartë dhe kërkon njerëz dhe pajisje të specializuara për ta zbatuar. Përveç kësaj, rezultatet e saj do të merren më ngadalë sesa nga ndërhyrja me luftë kimike. Gjithashtu, është e rëndësishme të ndërtohen programe të kontrollit të integruar të vektorëve në përgjithësi, të cilët zbatohen sot në shumë vende, sidomos aty ku është konfirmuar prania e mushkonjës tigër Aedes albopictus.

Disa REKOMANDIME

Në kushtet dhe stinën aktuale, me një verë të nxehtë dhe të lagësht, e cila është mjaft e përshtatshme për zhvillimiin e mushkonjave, po japim disa rekomandime për të kontrolluar zhvillimin e tyre:

– Eleminimi i ujrave të ndenjura në banesa, bodrume dhe përreth tyre.

– Eleminimi i pjatave e vazove të luleve dhe, nëse nuk është e mundur heqja e tyre nga përdorimi, duhet të evitohet lënia e ujit për një kohë të gjatë në to.

– Pastrimi i shpeshtë i pusetave dhe i zonave të shkarkimit të ujrave të tyre.

– Mbyllja e depozitave me kapak, derdhja e vazove, kanaçeve apo kontenierëve të tjerë, që mund të mbajnë ujë të ndenjur.

– Shatërvanët dhe akuariumet dekorative në mjediset publike dhe shtëpiake, duhet të mbahen të pastra, duke futur në to peshq të kuq (të cilët janë predatorë të larvave të mushkonjave).

– Enët, ku hanë ushqim dhe pinë ujë kafshët shtëpiake, të zbrazen dhe të pastrohen në mënyrë frekuente.

– Eleminimi e gomave të përdorura (duke qenë se përbëjnë vend–depozitim të përshtatshëm për vezët e mushkonjave) dhe evitimi i mbushjes së tyre me ujë.

– Eleminimi i vend-depozitimit të vezëve të mushkonjave, pellgjeve dhe gropave me ujë, që krijohen gjatë punimeve të ndërtimit të godinave në zonat urbane, ose trajtimi i tyre me larvicid, nga ana e firmave të ndërtimit.

– Vendosja e rrjetave kundër mushkonjave në dritare dhe dyer nëpër banesa, hotele, mjedise publike, shkolla, kopështe, çerdhe, spitale, institucione publike etj., për të evituar infestimin e mjediseve të brendshme.

– Reduktimi i aktivitetit në mjediset e jashtme, sidomos për fëmijët, në orët e pikut të aktivitetit të mushkonjave, mëngjes dhe mbrëmje, mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e pickimeve.

Mushkonja e zakonshme e shtëpisë është Culex pipiens. Në Shqipëri ndodhen 12 lloje të gjinisë Culex. Llojet që transmetojnë malarien i përkasin gjinisë Anopheles, e cila në Shqipëri përfaqësohet nga 11 lloje dhe gjinia tjetër Aedes përfaqësohet me 12 lloje, ku bën pjesë edhe mushkonja aziatike tigër, Aedes (Oclerotatus) albopictus. Mushkonja tigër ka hyrë në vendin tonë që prej vitit 1979 (J. Adhami & N. Murati 1987) me anë të anijeve, të cilat sillnin mallra nga Kina. Sot mushkonja tigër është përhapur, veçanërisht, përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. Kjo mushkonjë ka shkaktuar këto vitet e fundit (2006 – 2007) shpërthime të Chikungunjës në Itali dhe rreziku i shfaqjes së kësaj sëmundje ekziston edhe në vendin tonë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s