Mjedisi dhe ndjeshmeria publike

Ka pak kohë që ndjeshmëria mjedisore është shtuar me të drejtë, pas një lajmërimi të beftë që bënte fjalë për importimin e plehrave, pasi kështu e kërkon BE-ja nga njëra anë, dhe i shërben dhe kompanive ricikluese nga ana tjetër.

Në lidhje me këtë debat shumë të rëndësishëm për fatet e komunitetit që e ka lidhur fatin e jetës me këtë vend, u fol pak krahasuar me mobilizimin e përgjithshëm që ndodhi disa vjet më parë në një rast të ngjashëm apo në rastin e mobilizimit të qytetarëve të Vlorës për të kundërshtuar mega-projektet industrialo-energjetike të planifikuara në zonën e Pyllit të Sodës.

Me përjashtim të debatit promovuar në faqet e kësaj gazete, e cila për herë të disatë ka marrë flamurin për sa i përket debateve të tillë, pak aktivitet mediatik u vu re për mbulimin e një çështjeje kaq të ndjeshme dhe që i kalon disafish shqetësimet e politikës monotone të ditës.

Gjithashtu, përveç një peticioni të firmosur nga të gjitha organizatat mjedisore (që nuk janë pak) dhe disa shkrime të spikatur, ku vlen të përmenden ai i Ardian Klosit, Lavdosh Ferrunit apo Sazan Gurit, shkrime që vijnë pra nga ekspertë të fushës dhe intelektualë me peshë në ligjërimin publik, apo një manifestimi përpara Kryeministrisë ku morën pjesë mjaft figura publike, pak, shumë pak vëmendje iu kushtua një fenomeni që duhet argumentuar, rrahur mirë në ligjërimin publik dhe duhen pyetur njerëzit se çfarë mendimi kanë përpara se të vazhdohet më tej me projekt-idenë që mund të kthehet edhe në bombë ekologjike, ashtu siç kemi parë projekte të tilla të ngjashme në të kaluarën.

Sikur edhe çdo gjë të jetë konform legjislacionit evropian, kusht i panegociueshëm i Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, sikundër argumenton Ministria përkatëse, prapëseprapë kjo nuk përjashton nevojën për transparencë dhe informim të publikut, sipas Konventës së Aarhusit etj., para se të merren vendime të tilla të një rëndësie jetike për qytetarët shqiptarë.

Kohët e fundit në një pyetësor që kryem për të matur perceptimin e qytetarëve për ndjeshmërinë mjedisore dhe perceptimin që ata kanë për kushtëzimin e BE-së në lidhje me këtë, ashtu sikundër rolin e kryer nga media, shoqëria civile etj., morëm disa të dhëna mjaft interesante, që mund të shërbejnë sadopak për t`u mbajtur parasysh nga ligjvënësit apo aktorë të tjerë të rëndësishëm të jetës publike, para se të ketë vendimmarrje në fusha të paragjykuara si neutrale për sa i përket interesit publik.

Vërtet këtu, mbase nuk mund të ketë sensibilizim të mjaftueshëm apo mobilizim si ai në Napoli për të kundërshtuar projekte që merren qoftë me caktimin e një vendgrumbullimi për plehrat e tyre, por kjo nuk do të thotë që qytetarët e këtij vendi janë indiferentë apo moskokëçarës kur vjen fjala te mirëqenia e tyre mjedisore.

Përkundrazi, analiza e komenteve të marra nga pyetësorët që përgatitëm, nxjerr në pah një pakënaqësi të lartë ndaj gjendjes së mjedisit në Shqipëri.

Ajo që bie më tepër në sy është se shumica e komenteve paraqesin dhe kritikojnë KE-në si një palë që nuk ushtron presionin e duhur mbi autoritetet shqiptare që të plotësohen standardet mjedisore të BE-së, dhe kritikohet se mjaftohet vetëm me plotësimin e standardeve politike dhe ekonomike.

Pika të tjera që të bien në sy tek komentet është se publiku shqetësohet shumë për shkatërrimin e mjediseve të gjelbra e parqeve, si dhe mendon se shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e publikut. Në disa komente vihet re që qytetarët kritikojnë diferencimin e shoqërisë civile ndaj përkushtimit rreth çështjeve mjedisore, ku disa bëjnë më shumë ndërgjegjësim e disa të tjerë aspak.

Pyetja në këtë pyetësor rreth trajtimit nga media të çështjeve kryesore mjedisore në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE është pyetje mjaft e rëndësishme, pasi media është faktori kryesor në përçimin e informacionit dhe politikave te qytetarët në Shqipëri, sipas disa anketimeve të tjera nga OJF të ndryshme në Shqipëri.

Në këtë pyetje me shumë nënpyetje në çështjet kryesore të mjedisit që trajton progres raporti i KE-së (ndotja e ajrit, ujit, lumenjve, liqeneve, deteve, menaxhimi i mbetjeve, trajtimi i ujërave të zeza, ndotja akustike, dhe mbrojtja e parqeve kombëtare dhe natyrore), del në pah perceptimi që këto çështje janë disi të trajtuara nga mediat në Shqipëri në kuadër të integrimit në BE, dhe në rastin e ndotjes së lumenjve, liqeneve, deteve dhe menaxhimit të mbetjeve del që është e trajtuar shumë rrallë (duke marrë dhe përqindjen më të lartë në pyetjen për menaxhimin e mbetjeve ku 38.5 për qind e qytetarëve mendojnë se është trajtuar shumë rrallë).

Gjithashtu kemi dhe një përqindje të konsiderueshme të qytetarëve që perceptojnë se media nuk i ka trajtuar asnjëherë këto çështje në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, me përqindjen më të lartë në pyetjen rreth menaxhimit të mbetjeve, ku 16 për qind mendojnë se nuk është trajtuar asnjëherë si çështje.

Ky është një mesazh mjaft i rëndësishëm për median që u tregon se duhet t’i japin më shumë rëndësi dhe hapësirë kësaj çështjeje në programin e tyre.

Disa nga komentet kryesore që mblodhëm, te hapësira për komente të pyetësorit ishin si më poshtë:
Ka shumë ndotje ajri nga makinat, fabrikat dhe prishja e parqeve natyrore. Secili duhet të ndërgjegjësojë çdo person mbi shkatërrimin e mjedisit.

Shoqëria nuk është e kënaqur, ka pak parqe dhe mjedise të gjelbra. Mjedisi është i rëndësishëm por ai nuk luan asnjë rol, rol luajnë plotësimi i standardeve politike të kërkuara nga BE.

Prioritet i BE-së janë çështjet politike dhe mjedisi është në plan të parë apo të dytë.
Mendimi që shoqëria shqiptare është e pakënaqur me standardet mjedisore në vend, por nga ana tjetër është vetë shoqëria që nuk bën përpjekjen më të vogël për t’u angazhuar në mbrojtjen e mjedisit, madje e shkatërron gjithnjë e më shumë.

Ndërgjegjësimi mbi mjedisin duhet të bëhet me anë të politikave të shtetit dhe edukimit apo fushatave ndërgjegjësuese, si dhe taksa e politika fiskale.
Tani jemi nën pikën 0 në lidhje me mjedisin.

Një nga pikat që duhet të plotësohet për integrimin në BE është mjedisi; shoqëria civile në Shqipëri është e rëndësishme, por është indiferente.

Bashkimi Evropian duhet të përpiqet më shumë në theksimin e kësaj çështjeje në mënyrë që të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria mbi këtë. Shoqëria shqiptaret nuk është e kënaqur por nuk merr masa për ta ndryshuar gjendjen. Ajo pret që gjendja të rregullohet vetë.

Shoqëria civile është shumë e rëndësishme për të ndërgjegjësuar, por mungon edukimi për të.

Perceptimi publik përgjithësisht tregoi se qytetarët kishin një dozë të lartë ndjeshmërie mjedisore.

Në rast se ju kërkohej të rendisnin problemet më të rëndësishme që hasnin në jetën e përditshme, natyrisht këto ishin problemet ekonomike, papunësia, rritja e çmimeve apo korrupsioni, por nëse pyetjet jepeshin me alternativa ku mjedisi ishte një prej tyre, atëherë identifikohej pa dyshim si një nga elementët kryesorë problematikë që i duhej kushtuar vëmendje nga të gjithë aktorët dhe faktorët shoqërorë.

Shpresojmë që këto alarme qytetare nuk do të bien në vesh të shurdhët dhe e mira e përbashkët do të kapërcejë interesat e politikës shpesh meskine të ditës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s